Secondary Adv

SHBA dhe Irani drejt marrëveshjes për fundin e luftës, zbulohen 14 pikat e memorandumit

Një memorandum me 14 pika po negociohet mes SHBA-së dhe Iranit, në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hapur rrugën për një marrëveshje afatgjatë mes dy vendeve.

Negociata intensive për armëpushim dhe marrëveshje të re

Sipas mediave amerikane, dokumenti po diskutohet nga të dërguarit e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, së bashku me përfaqësues iranianë, direkt ose përmes ndërmjetësve diplomatikë.

 

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se palët nuk kanë qenë asnjëherë kaq pranë një marrëveshjeje që nga nisja e konfliktit. Drafti aktual parashikon ndalimin e luftimeve dhe nisjen e një periudhe 30-ditore negociatash intensive për finalizimin e marrëveshjes përfundimtare. Në qendër të diskutimeve mbeten hapja e Ngushticës së Hormuzit, kufizimi i programit bërthamor iranian dhe heqja graduale e sanksioneve amerikane ndaj Teheranit.

 

Moratorium për uraniumin dhe kontrolle të OKB-së

Drafti parashikon që Irani të pranojë një moratorium për pasurimin e uraniumit, me kohëzgjatje që ende po negociohet. Teherani ka propozuar një periudhë pesëvjeçare, ndërsa pala amerikane kërkon kufizime deri në 20 vite. Po ashtu, Irani do të hiqte dorë zyrtarisht nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe do të pranonte inspektime të zgjeruara nga OKB-ja, përfshirë kontrolle të papritura në objektet bërthamore.

 

Nga ana tjetër, SHBA do të angazhohej për heqjen graduale të sanksioneve ekonomike dhe zhbllokimin e miliarda dollarëve fonde iraniane të ngrira jashtë vendit.

 

Transferimi i uraniumit jashtë Iranit

Sipas burimeve diplomatike, Irani ka pranuar edhe transferimin jashtë vendit të uraniumit të pasuruar në nivele të larta. Një nga opsionet e diskutuara është dërgimi i tij në Shtetet e Bashkuara. Negociatat mund të zhvillohen në Islamabad ose në Gjenevë, ndërsa palët po përpiqen të shmangin një përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme.

 

Skepticizëm në Uashington

Pavarësisht progresit të raportuar, brenda administratës amerikane mbeten rezerva për gatishmërinë reale të Iranit për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje e tillë nuk mund të hartohet brenda një dite dhe kërkoi garanci të qarta diplomatike për çështjet ku Teherani pritet të bëjë lëshime.

 

Ai shtoi se administrata amerikane mbetet e kujdesshme ndaj qëndrimeve të udhëheqjes iraniane, ndërsa bisedimet vazhdojnë në një klimë të brishtë diplomatike.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat